KLINIKA E PSIKIATRISË

Informata të përgjithshme
Përveç diagnostifikimit, trajtimit dhe kujdesit për pacientë me probleme psikiatrike, KP merret edhe me edukimin e profesionistëve shëndetësor të shëndetit mendor në rrafshin e programit të specializantëve, si dhe në rrafshin e EVP-së, brenda dhe jashtë klinikës. Gjithashtu, KP fokusohet në hulumtim për të mbështetur trajtim dhe kujdes cilësor me themele të bazuara në të dhënat shkencore.
Varësisht nga situata individuale, të rriturit me probleme psikiatrike mund të pranohen në KP (që ka 77 shtretër), apo të pranojnë shërbime ambulantore psikiatrike. Më tutje, KP mbulon edhe trajtimin dhe kujdesin psikiatrik për fëmijët dhe adoleshentët. KP sheh vendet e ndryshme për trajtim dhe kujdes psikiatrik brenda klinikës si komplementare, dhe sheh tërë klinikën si pjesë e një zinxhiri gjithpërfshirës përbrenda sistemit shëndetësor ( të shëndetit mendor).
Klinika psikiatrike universitare është në proces të ngritjes së kualitetit në ofrimin e kujdesit ndaj pacientëve. Është zgjedhur një qasje e përshkallëzuar për të zhvilluar kapacitetin e klinikës sipas standardeve të cilësisë së shërbimeve të shëndetit mendor.

Filozofia
KPU ofron kujdes në shëndetin mendor në një mënyrë humane ndaj njerëzve me sëmundje mendore ose me probleme të rënda mendore.
Trajtimi orientohet drejt shërimit dhe ruajtjes së autonomisë, në parandalimin e paaftësisë, përmes krijimit të një ambienti të sigurtë.

Misioni
Ofrimi i trajtimit adekuat dhe sipas standardeve të kujdesit për pacientët me probleme të shëndetit mendor.
Edukimi dhe përgatitja e profesionistëve që do të kontribojnë në përmirësimin e shëndetit mendor të popullatës (të studentëve, të specializantëve, të profesionistëve të shëndetit mendor).

Empatia, respekti i ndërsjellë (kolegë, pacientë, si dhe familje/kujdestarë) dhe angazhimi pozitiv priten nga secili anëtarë i stafit. Do të kërkohet pëlqimi i informuar, që nënkupton se pacientët do të informohen për çdo hap në planifikimin e trajtimit dhe kujdesit. Pacientët duhet të përfshihen në çdo vendim të planifikimit të trajtimit dhe kujdesit, përveç rasteve kur korniza ligjore e lejon marrjen e vendimeve pa pëlqimin e tyre.

Fokusi kryesor i KP-së janë pacientët. Sidoqoftë, rrethi social i pacientëve konsiderohet i rëndësishëm për rehabilitimin e pacientëve. Kështu që, anëtari i stafit të KPU-së jo vetëm që duhet të ndërtojë marrëdhënie të mirë profesionale me pacientët, por gjithashtu me familjen / kujdestarët e tyre. Ekziston edhe bordi i familjarëve, që përcjellë cilësinë e kujdesit që iu ofrohet të afërmve të tyre që kanë nevojë për kujdes psikiatrik.

Koha e qëndrimit në klinikë bazohet në vlerësim të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të pacientit. Kohëzgjatja është e kufizuar dhe nëse nuk referohet në ndonjë institucion tjetër shëndetësor, pacienti do të kthehet në vendin e  qëndrimit para pranimit.

Në KP punojnë rreth 90 anëtarë të stafit nga profesione të ndryshme shëndetësore. Profesionet e ndryshme përfshijnë: psikiatër, infermierë, punëtorë social, psikologë, punëtorë administrativ si dhe punëtorë të përfshirë në shërbime ndihmëse si: në kuzhina, pastrimi, etj. Ekipi shumëdisiplinar është në gatishmëri që të shërbejë, kurdo që nevojat e pacientëve e kërkojnë këtë.

Dy disiplinat e ekipit shumëdisiplinar që janë në kontakt të përditshëm me pacientët janë psikiatrit dhe infermierët. Përmbledhur shkurtimisht, psikiatrit së bashku me pacientët, vendosin dhe janë përgjegjës të parë rreth trajtimit. Infermierët fokusohen në nevojat humane të pacientëve dhe ndihmojnë pacientët kur është e nevojshme, kur këto nevoja nuk mund të plotësohen për shkak të sëmundjes. Psikiatrit dhe infermierët, nëse është e nevojshme edhe profesionistë tjerë nga ekipi multidisiplinar, vazhdimisht dhe metodologjikisht vlerësojnë dhe përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientit dhe punojnë së bashku për të arritur qëllimet e caktuara.

Dy disiplina tjera të rëndësishme dhe komplementare janë psikologët dhe punëtorët socialë. Psikologët përfshihen në ofrimin e shërbimeve psikoterapeutike, këshilluese, psikoedukim si dhe vlerësimi psikologjik. Punëtori social ofron ndihmën e tij/saj në adresimin e problemeve sociale me të cilat ballafaqohet pacienti ku përfshihet edhe vendosja e kontaktit me familjen dhe me institucionet tjera. Gjithashtu, ofrohet ndihmë në kompletim të dokumenteve për ndihmë sociale, strehim, etj. 

Intervenimet që ofrohen në klinikë përfshijnë:

  1. Menaxhimi i medikamenteve dhe vetëdijësimi për simptomet: Ky intervenim bazik përmbledh menaxhimin farmakologjik të simptomeve psikiatrike të pacientit dhe ndihmën që i ofrohet pacientit në kuptimin dhe identifikimin e simptomeve specifike të sjelljes, kognitive dhe afektive që lidhen me sëmundjen e tyre psikiatrike. 
  1. Socializimi: Ky intervenim bazik është i dizajnuar për t’iu ofruar pacientëve mundësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të kohës së lirë dhe të bashkëveprojnë në ambient të ngrohtë por të monitoruar. Kjo komponentë përfshinë kopshtin-koridoret çdo ditë, grupet e socializimit në mbrëmje dhe fundjavë, si dhe disa aktivitete me karakter rekreativ si lojëra tavoline, përcjellja e televizionit, etj. 
  1. Orientimi: Ky intervenim bazik përfshinë aktivitete ditore të trajtimit të dizajnuara për të ndihmuar pacientët të orientohen në rrethin e tyre në njësinë ku ndodhen, ndaj stafit dhe pacientëve tjerë dhe ndaj ditës së tyre trajtuese. Ky intervenim i mundëson stafit të monitorojë dhe vlerësojë gjendjen mendore të pacientit dy herë në javë. Grupe të vogla orientimi mbahen çdo ditë për të adresuar çështjet e përgjithshme orientuese (data, vendi dhe koha), orarin ditor, ngjarjet e tanishme, dhe tema tjera për të stimular diskutimit dhe ndërveprimin. Pacientët që nuk janë në gjendje të marrin pjesë në grupe orientohen në mënyrë individuale. 
  1. Vet-kujdesi: Shumë pacientë kanë deficite të dukshme në aftësinë e kujdesit për higjienën bazike dhe ushqimin. Qëllimi i intervenimit bazik të vetkujdesit është që t’i bëj pacientët të aftë të mbajnë një nivel të pranueshëm të higjienës personale dhe pastërtisë së dhomës me nivelin më të lartë të mundshëm të pavarësisë. Çdo njësi ka të rregulluar numrin e angazhimeve gjatë javës për t’i asistuar pacientët me higjienë, detyra ushqyese dhe pastrimin e dhomës. 
  1. Shkathtësitë ballafaquese: ky intervenim bazik përfshinë një ose më shumë grupe të strukturuara në secilën njësi, duke adresuar aspektet e brendshme psikologjike dhe ballafaqimit social (vet-menaxhimi) dhe të jashtme (ngjarjet stresuese). Shkathtësitë që mund të zhvillohen dhe ngriten përfshijnë: menaxhimin e zemërimit, zgjidhjen praktike të problemeve, komunikimin efektiv, menaxhimin e stresit, zgjidhjen e konfliktit dhe përgatitjen për shkarkim. 
  1. Psiko-edukimi për familjarë për kuptimin dhe identifikimin e simptomeve të caktuara të sjelljes, kognitive dhe afektive që lidhen me sëmundjen psikiatrike të familjarit të tyre. 
  1. Ushtrimet dhe terapia relaksuese për të ndihmuar pacientët të përmirësojnë ndjenjën e mirëqenies dhe gjendjes së tyre.

Ekipi shumëdisiplinar i trajtimit takohet çdo ditë si dhe bëhet raportimi i ndërrimeve ditore. Në këto kohë, çdo anëtar i ekipit është përgjegjës për të ndarë informata relevante për secilin pacient, bazuar në ndërveprim apo vëzhgim, dhe / ose të dhëna të mbledhura nga burime tjera (kontakte familjare, shënime, testime psikologjike, etj.). Vendimet e planifikimit të trajtimit bëhen si ekip, mirëpo psikiatri / udhëheqësi i ekipit ka përgjegjësi të përgjithshme për vendimet e trajtimit. Është e rëndësishme që të gjithë anëtarët e ekipit përfshihen dhe janë të vetëdijshëm për ndryshimet e planit të trajtimit për të siguruar që i tërë informacioni është shqyrtuar dhe për të siguruar ambient të qëndrueshëm dhe koheziv të trajtimit.

Të gjithë pacientët e pranuar në KP, informohen rreth rutinës ditore në repartin që janë pranuar dhe iu jepet broshura informuese ku përfshihen rregullat e shtëpisë (të aplikueshme për pacientët dhe stafin e klinikës), si dhe karta e të drejtave të pacientit.

 Përshkrimi i reparteve
Repartet ofrojnë 24 orë në ditë siguri dhe ekspertizë të ekipit shumëdisiplinar në menaxhimin e sjelljeve të çrregulluara dhe të vështira. Gjithashtu, repartet ofrojnë përcjellje dhe vlerësim të vazhdueshëm, strategji të menaxhimit të situatave, si dhe aktivitete ditore me karakter terapeutik dhe rekreativ.
Më poshtë mund të gjeni një përshkrim të shkurtër të secilit repart të klinikës së psikiatrisë, duke përfshirë kriteret e pranimit ne secilin repart. 

Reparti A
Ky repart trajton aktualisht të gjitha çregullimet psikotike për moshat 18-65 vjet në gjendje akute (gjendje e cila nuk ka nevojë për trajtimin intensiv psikiatrik) ose subakute. Reparti ofron trajtim spitalor vetëm për rastet që nuk mund të trajtohen ambulantorisht. Gjithashtu, është e rëndësishme të meret parasysh niveli i rezikshmërisë për vetvrasje apo vrasje Stafi i repartit është i përkushtuar që të trajtojë personat me çrregullime psikike në mënyrë humane dhe dinjitoze, duke mos lejuar që çrregullimi të përcaktojë qasjen ndaj tyre. Për shkak të diversitetit të çrregullimeve që trajtohen në këtë repart, stafi është i përkushtuar në qasje individuale por kompakte ndaj pacientëve, duke mbajtur takime të rregullta. 

Reparti B
Ky repart trajton aktualisht të gjitha çrregullimet jo psikotike për moshat 18-65 vjeç në  gjendje akute (gjendje e cila nuk ka ka nevojë për trajtim intensiv psikiatrik) ose subakute. Reparti ofron trajtim spitalor vetëm për rastet që nuk mund të trajtohen ambulatorisht.Gjithashtu,është e rëndësishme të merret parasysh niveli i rrezikshmerisë për vetëvrasje apo vrasje.Stafi i repartit është i përkushtuar që të trajtojë personat me çrregullime psikike në mënyrë humane dhe dinjitoze,duke mos lejuar që çrregullimi të përcaktojë qasjen ndaj tyre.
Për shkak të diversitetit të çrregullimeve që trajtohen në këtë repart,stafi është i përkushtuar në qasje indviduale por kompakte ndaj pacientëve,duke mbajtur takime të rregullta.

Reparti Sëmundjeve të Varësisë
Reparti i sëmundjeve të varësisë është i përkushtuar t’iu ndihmojë njerëzve të tejkalojnë varësitë e tyre. Trajtimi i ofrohet  personave që janë në gjendje të varësisë fizike ë psikike dhe të shqetësuar nga ky fakt . Llojet e varësisë për të cilat flasim përfshijnë: alkoolin, barnat e përshkruara, të ashtuquajturat drogat ilegale të rrugës si kokaina dhe heroina. Sikur që historia abuzive e secilit person është e ndryshme, trajtimi duhet të plotësojë neovjat specifike të secilit pacient. Që pacienti të hyjë në trajtim duhet të jetë i gatshëm të nënshkruajë kontratën terapeutike dhe të jetë i/e motivuar të pranojë trajtimin. 

Reparti i Urgjencave dhe Kujdesit Intensiv Psikiatrik
Urgjencat dhe kujdesi intensiv psikiatrik është njësi e mbyllur që vlerëson dhe trajton rastet e çrregullimeve të ndryshme psikotike, të çrregullimeve bipolare dhe të çrregullimeve të personalitetit që nuk mund të trajtohen në reparte të hapura. Këto raste shfaqin sjellje agresive, rrezik potencial për braktisje të trajtimit përcjellur me rreziqe tjera si vetvrasje apo vrasje, apo janë në gjendje akute të sëmundjes. Sjelljet e lartëpërmendura duhet të jenë në kontekst të sëmundjes mendore. UKIP-i është njësia e vetme që mund të trajtojë pacientët pa pëlqimin e tyre, nëse pacientët nuk janë në gjendje që ta japin pëlqimin. Si njësi e veçantë për intervenim në kriza, pacientët mund të izolohen përkohësisht, por mirëqenia e pacientit do të jetë çdoherë prioritet. 

Trajtimi Mbajtes me  Metadon
Ky sherbim ofrohet një formë ambulantore   dhe menaxhohet nga stafi i Repartit të Semundjeve të Varësisë (RSV). Për këtë qellim është ndatë një hapësirë  modeste , e cila nuk plotëson nevojat komplete të këtij sherbimi. Pra, ka mungesë hapësire  dhe poashtu ka qenë marrëveshja që të kompletohet edhe me staf të mjaftueshem përcjellës. Sipas protokolleve të trajtimit të aprovuara nga MSH,sherbimi ofrohet në mënyrë ambulantore, ku bëhet shpërndarja e dozave të metadonit për përfietuesit (opioidovartës) nga ky program. Raportimi për punën e  këtij  sherbim bëhët në baza mujore dhe tremujore , sipas  marrëveshjes, drejtëpërdrejt në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shërbim konsultativ
Njësia e shërbimeve konsultative ofron vlerësime dhe shërbime jashtë-spitalore për të rriturit me çfarëdo problemi psikiatrik apo psikologjik dhe çështje të ndërlidhura me to. Ky sherbim  ofron trajtim psikofarmakologjik dhe psikoterapi individuale. Gjithashtu, ofrohen shërbime konsultative për klinikat tjera brenda QKUK-së, si dhe vlerësime psikiatrike dhe psikologjike për rastet e paraburgimit.
Orari i punës në këtë njësi  është: 09:00 – 14:00; nga e hëna në të premte
Për të caktuar termin përdoret numri : 038 500 600 28 35.
Orari i caktimit të terminit dhe i dorzimit të udhëzimeve është:07:30-12:00 

Sherbimi i  psikiatrik  për fëmijë dhe adoleshentë ( SHPFA)
Kjo qendër ofron shërbime jashtëspitalore për fëmijë dhe adoleshentë deri në moshën 18 vjeçare. Edhe këtu, si në pjesën tjetër të klinikës, funksionon ekipi shumdisiplinar, secili i përfshirë ngushtë në të gjitha aktivitetet e punës në qendër. Këtu ofrohen intervista klinike psikiatrike dhe psikologjike, testime psikologjike, psikoterapi individuale dhe grupore, këshillim, dhe konsultime me prindërit që shohin problem në rritjen e fëmijëve (për arsye të ndryshme). Më tutje, qendra ofron shërbime konsultative të gjitha institucioneve / shërbimeve tjera të lidhura me fëmijët (mjekët familjarë, shkollat, gjyqi, shërbimet sociale, OJQ-të, etj).
Pacientët referohen nga pediatrit, mjekët familjarë dhe psikiatrit tjerë. Sidoqoftë, pranohet edhe vet-referimi nga vet pacientët / kujdestarët.
Qendra është e hapur nga 7:30 deri 14:30. ku funksionon sistemi i termineve dhe pacientët që dëshirojnë të caktojnë termin, janë të mirëseardhur nga 8:00 deri 14:00
Për të caktuar termin mund të përdorni numrin:038 500 600 28 02