Pediatër e onkologë , po shkëmbejnë përvojat profesionale me mjekët ndërkombëta

Sep 03, 2018
Shpend Fazliu

Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) në bashkëpunim me Repartin e Hemato-Onkologjisë Pediatrike , po mbajnë Konferencën e 7 vjetore,  me pjesëmarrje ndërkombëtare, ku po diskutohet në lidhje me zhvillimet e fundit në fushën e onkologjisë pediatrike.

Hapjen e Konferencës e bëri dr. Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, i cili tha se kjo Konferencë vjetore është  mundësi e mirë për diskutim me kolegët nga Holanda dhe Austria, të cilët e do të ligjërojnë për zhvillimet e fundit nga kjo fushë.

Fjalë rasti mbajti edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, i cili falënderoi organizatorët dhe profesorët nga Holanda e Austria që po mundësojnë që zhvillimet e fundit  shkencore t’i bisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat me mjekët e QKUK-së.

Ai shprehu përkrahjen e tij dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për fushën e onkologjisë dhe të hemato-onkologjisë  pediatrike,  ku si rezultat i kësaj përkrahje dhe bashkëpunimi, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ndër  qendrat më të mëdha në botë për onkologji pediatrike “Princess Maxima” në Holandë, e cila do të bëjë të mundur që mjekët tanë të kenë trajnime dhe të përfitojnë nga zhvillimet e fundit shkencore.

Profesor  Gert- Jan Kaspers nga Qendra për onkologji Pediatrike  “Princess Maxima “ në Holandë  prezantoj funksionimin e shërbimeve onkologjike pediatrike dhe të arriturat tjera shkencore, përfshirë numrin e rasteve dhe trajtimin që u  bëhet fëmijëve  me diagnoza hemato/onkologjike.

Prof.  Wolfgang Schwiner nga  Universiteti i Gracit, po ashtu prezantoj punimet shkencore në lidhje me fushën e hemato-onkologjisë.Në konferencë po ligjërojnë edhe ekspertë vendor që poashtu po paraqesin përvojat e tyre profesionale me pacientët e  trajtuar në Kosovë.

Me respekt,